Zbulohet se sa veteranë saktësisht marrin paga nga shteti

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke paguar pensionet për rreth 40 mijë veteranë të UÇK-së.

Kjo shifër është bërë e ditur në raportin e punës së zëvendësministrit të punës Abdyl Imeri, të cilin ai e ka dorëzuar tek kryeministrit Ramush Haradinaj, raport të cilin ky i fundit ua kishte kërkuar zv.ministrave.

Sipas tabelës të cilën e ka dorëzuar zv. ministri tek Kryeministri janë 38 mijë e 253 veteranë që marrin pensionin dhe 1 mijë e 663 familje të tyre.

Në këtë skemë janë të përfshirë edhe 2 mijë e 469 familje të dëshmorëve; 5 mijë e 220 familje të viktimave civile; 437 familje të të zhdukurve; 178 familje të invalidëve të luftës pas vdekjes; 125 familje të invalidëve civil pas vdekjes; 2 mijë e 254 invalid civil të luftës; 3 mijë e 544 invalid të UÇK-së; 83 kujdestar për invalid të luftës dhe 45 kujdestarë për invalid civil.

Rritja e numrit të veteranëve përveç që ka ngarkuar buxhetin e shtetit, ka nxitur reagime edhe te veteranët e vërtetë të cilët ankohen se ky manipulim, ka bërë që kontributi i tyre në luftë të dëmtohet nga disa që nuk kanë qenë në luftë fare. /kallxo//.