Zbulohet letra e pendesës e ish-gjyqtarit të Kushtetueses për vrasjen e priftit të famshëm shqiptar

Letra e prokurorit dhe gjykatësit që vendosën pushkatimin për Dom Shtjefën Kurtin në vitin 1971. Nipi i Dom Shtjefën Kurtit: “Prokurori Hajredin Fuga më kërkoi të mos e botoja letrën e tij sa të ishte gjallë: “Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj dot debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë”.  I dhashë fjalën që nuk do ta botoj në media për sa kohë ishte gjallë”, rrëfen Kurti.

Hajredin Fuga: Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur

Jani Vasili: “I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes, për këtë rëndesë të madhe shpirtërore, edhe për pamundësinë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim”.

Duhet të ketë qenë shumë e vështirë për Hajredin Fugën mëngjesi i datës 2 qershor 2011, kur një person me emrin Nikolin  Kurti i kërkonte një takim dhe arsyen përse e kërkonte këtë takim. Kishte të bënte me një ngjarje shumë të rëndë që lidhej me të shkuarën e Hajredin Fugës, prokuror në kohën e diktaturës komuniste.  Të njëjtin takim, Nikolini i kërkoi dhe gjyqtarit Jani Vasili. Nikolin  Kurti kishte 20 vjet që kërkonte eshtrat e xhaxhait të tij, Dom Shtjefën Kurti, i pushkatuar në vitin 1971. Gjurmët e kërkimit e kishin çuar prej kohësh tek procesi i gjyqit ndaj Dom Shtjefën Kurtit, atje ku kishte qenë prokuror Hajredin Fuga e gjykatës Jani Vasili. Nikolini kishte vendosur t’i takonte për të mësuar detaje të gjyqit ku u dënua me pushkatim padrejtësisht, xhaxhai i tij, Dom Shtjefën Kurti.

Takimi me prokurorin

“E mora në telefon dhe iu prezantova. I thashë dua të takoj për çështjen e pushkatimit të Dom Shtjefën Kurtit. Jam nipi i tij. Mu përgjigj menjëherë pozitivisht. Më tha po, mund të takohemi dhe lamë një vend takimi. Ishte data 2 Qershor. Shkova në vendin ku e kishim lënë të takoheshim dhe po e prisja. Erdhi 10 minuta pasi kisha mbërritur unë. U ngrita në këmbë. I thashë uluni… ai më tha: Para se të ulem dua të kërkoj të falur për Dom Shtjefnin. Dua të kërkoj një ndjesë që nuk munda ta bëj ndaj Dom Shtjefnit, prindërve të tij dhe gjithë ju familjarëve!

I thashë se e pranoj ndjesën. Pastaj u ul. Kisha marrë me vete dokumentin ku paraqitej kërkesa e tij si prokuror i çështjes, drejtuar gjykatës për pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtit. E pa dhe më tha menjëherë: “është e vërtetë, është shkresa që unë kam shkruar… Por ashtu ishin kohët… etj”.

Pastaj nisi të më flasë për detaje të gjyqit, falsifikimin e të gjitha akuzave përmes të cilave u dënua me pushkatim xhaxhai im Dom Shtjefën Kurti.  I kërkova të më bënte një nder: të gjitha çfarë po më thoshte t’i shkruante në një letër me shkrim dore, jo me kompjuter. Më tha menjëherë Po! Por duhet të më japësh pak ditë kohë dhe unë do ta shkruaj dhe do e sjell.

Pas pesë a gjashtë ditësh më mori në telefon dhe më tha e kam gati. U takuam sërish.

E pashë që e kishte shkruar me detaje. Më kërkoi që të mos e bëja publike përsa kohë të ishte gjallë. “Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj dot debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë”.  I dhashë fjalën që nuk do ta botoj në media për sa kohë ishte gjallë. Unë e mbajta fjalën dhe nuk e botova. Tani kam vendosur ti publikoj letrën e tij dhe atë të Jani Vasilit, në një libër për jetën e xhaxhait tim, Dom Shtjefen Kurtit.

Letra

“Në takimin e parë të datës 2 qershor 2011, unë të shpreha keqardhjen time të thellë, për gjithçka ndodhi në Shqipëri, në periudhën e regjimit komunist ndaj qindra e mijëra shqiptarëve, përfshirë dhe rastin konkret, të cilët u persekutuan dhe u martirizuan vetëm e vetëm pse u përpoqën dhe luftuan për lirinë e mendimit dhe të fjalës së lirë.

Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur. Duke lexuar, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të Dom Shtjefnit, si një patriot, atdhetar, personalitet dhe luftëtar i paepur për çështjen kombëtare, për arsimin dhe gjuhën e vendit tonë. U përgëzoj për atë punë të lavdërueshme që keni bërë për njohjen dhe përjetësimin e figurës së këtij martiri. Këtë e them me sinqeritet dhe të më besoni.

Kanë kaluar diçka më shumë se dyzetë vjet në largësinë e viteve dhe do të përpiqem të jem i saktë në kujtesën time….”, është ky fillimi i një letre të gjatë të Hajredin Fugës për nipin e Dom Shtjefën Kurtit, për të cilin dikur kishte kërkuar dënimin me pushkatim.

Në letër ai sqaron detaje të rëndësishme ku vërtetohet falsiteti me të cilin diktatura vriste njerëz të pafajshëm.  Në fund të letrës, ish-prokurori i çështjes së Dom Shtjefën Kurtit, i kërkon nipit të viktimës së tij të mbeten miq përjetë. Në atë kohë, Hajredin Fuga po mbyllte një karrierë të spikatur në sistemin e drejtësisë në Shqipërinë postkomuniste. Kishte qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Takimi me gjykatësin

Jani Vasili ishte caktua nga regjimi për të drejtuar seancën gjyqësorë për Dom Shtjefën Kurtin, për të cilin prokuroria kishte kërkuar dënim me pushkatim. Gjyqi zhvillohej në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godina e kthyer në vatër kulture pas prishjes vendimit të diktatorit për të ndalur besimin fetar. Jani Vasili dhe trupa gjykuese dha vendimin për pushkatimin e  priftit të famshëm Dom Shtjefën Kurti, i cili në fakt nuk kishte kryer asnjë krim, përveçse kishte guxuar të pagëzonte ilegalisht një fëmijë.

Takimi i Nikolin  Kurtit me Jani Vasilin është i ngjashëm me takimin e tij me prokurorin, Hajredin Fuga.

“Jani Vasili kishte dijeni me sa duket nga Hajredini se unë do ta kërkoja dhe sapo e kontaktova me tha menjëherë po për takimin. Ishte pak javë pasi kisha takuar Hajredinin. U ulem në kafe. I tregova vendimin e tij për pushkatimin e Dom Shtjefën Kurtit, ku kishte qenë relator.

Po më tha, është e vërtetë. I kërkova detaje se si ishte e vërteta e atij gjyqi. I kërkova që ta shkruante me dorë dhe ma solli. Më kërkoi gjithashtu të mos e botoj për sa kohë të ishte gjallë”.

Letra e Gjykatësit

“Jani Vasili, anëtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

Me kërkesë të z.Nikolin  Kurti, i deklaroj se vendimi i Gjykatës së rrethit të Krujës me Nr. 54 datë 31.7.1971, me të cilin, ndër të tjera është dënuar me vdekje për të ashtuquajturin krim sabotim, si dhe vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të cilën kam marrë pjesë edhe unë, janë tërësisht të padrejtë. Në të dy vendimet e sipërme, është pranuar pa asnjë bazë ligjore, ndër të tjera, dënimi me vdekje i të gjykuarit Shtjefën Kurti për krimin e sabotimit.

Në të dy arsyetimet e vendimeve, është qartësisht e vërtetuar se veprimtaria e pranuar nga Gjykata në ngarkim të të sipërmvet rezulton qartë se nuk ka asgjë të përbashkët me sabotimin, por është interpretimi i qëllimshëm, tejet i zgjeruar i diktaturës komuniste, për të zhdukur veprimtarinë shoqërore e fetare, sikurse i dënuari Shtjefën Kurti. Është më se e qartë, se në këtë vendim çdo gjë ish e paragjykuar dhe e vendosur nga diktatura komuniste.

I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes për këtë rëndesë të madhe shpirtërore, edhe për pamundësinë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim. prill-maj 2012”.

Hajredin Fuga dhe Jani Vasili  kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist, ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke kapur majat deri në Gjykatën Kushtetuese. Për të respektuar marrëveshjen me ta, Nikolin  Kurti nuk i botoi dy letrat e tyre për sa kohë ata ishin gjallë. Letra e Hajredin Fugës dhe Jani Vasilit, me ndjesën që i kërkojnë nipit të viktimës së tyre, botohet për herë të parë në Kujto.al, me lejen e Nikolin  Kurtit, nipit të Dom Shtjefën Kurtit.

Dom Shtjefën Kurti, ishte një prift katolik, lindr në Ferizaj të Kosovës më 24.12.1898. Studioi në Seminarin e Shkodrës, më pas në Insbruk të Austrisë, në Kolegjin Canisianum dhe, në fund, në vitin 1919, në Romë pranë Kolegjit të Kongregatës Propaganda Fide. U shugurua meshtar në Romë më 13.05.1921. Në vitin 1930 u kthye në Shqipëri për Dioqezën e Durrësit. Në Kosovë kishte qënë famullitar në Ferizaj e Novoselë. Në Shqipëri qe famullitar i Zhejës, Gurrëzit e Tiranës. U arrestua dy herë: herën e parë në Tiranë më 27.10.1946 dhe u dënua me 20 vjet burg, prej të cilëve bëri 17, në burgun e tmerrshëm të Burrelit; herën e dytë u arrestua në Gurrëz më 11.06.1970. U dënua me vdekje. Ky vendim u shqyrtua nga një trupë gjyqësore e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ku bënin pjesë: Llazi Stratobërdha, zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë, Ali Zenko antar dhe Jani Vasili antar, të cilët me datë 8.9.1971, mori në shqyrtim çështjen Nr.806, që i përket të gjykuarit Shtjefën Kurti: Për krimin e sabotimit dhe të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit
popullor, d.m.th. për krime të parashikuara nga neni 72 dhe paragrafi i parë i nenit 73, në bazë të cilave gjykata e Krujës e ka dënuar me vdekje, me pushkatim dhe e konsideroi atë vendim të mbështetur në ligj. Në vendimin e Gjykatës së Lartë theksohet se “Për të gjykuarin Shtjefën Kurti vendimi nuk mund të ekzekutohet, pa pritur përgjigjen e lutjes që ai, sipas nenit 349 të Kodit të Procedurës Penale ka të drejtë t’i drejtojë Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës. I akuzuari Kurti nuk i kishte bërë kërkesë falje Presidiumit të Kuvendit Popullor, megjithatë ai organ ishte njoftuar me vendimin përmes Gjykatës së Lartë. Një ditë të ftohtë shkurti të vitit 1972, Dom Shtjefën Kurti merret dhunisht nga qelitë e burgut për t’u vënë para togës së pushkatimit. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, ai i qetë përgjigjet: “Nuk më vjen keq se po
vdes, po më vjen keq se jetën po ma merrni ju”. U pushkatua në Gurrëz më 20.10.1971.

Më poshtë botohet e plotë faksimile e letrës së ish-prokurorit Hajredin Fuga dhe ish-gjyqtarit  Jani Vasili.