Vuçiq: S’e njohim Kosovën edhe po t’i sjellin 350 milionë amerikanët

Presidenti serb, Aleksander Vuçiq ka folur për shtyerjen e Samitit të Parisit i cili planifikohej të mbahej më 1 korrik, e në të cilin pritej edhe hartimi i një draft marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiq, dështimin e Samitit të Parisit e ka quajtur një situatë të vështirë për të gjithë, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, kjo nuk është humbje as e Francës e as Gjermanisë.

“Shtyrja e takimit në Paris nuk është disfatë e Gjermanisë dhe e Francës, por është situatë e vështirë për të gjithë, sepse shqiptarët e Kosovës e dinë se Serbia tashmë i ka kohët e veta më të mira dhe dëshiron të përparojë edhe më shumë dhe për këtë gjë është i nevojshëm stabiliteti politik”, ka thënë Vuçiq.

Siç ka deklaruar ai, shqiptarët e Kosovës po duan ta shfrytëzojnë këtë situatë.

Vuçiq është pyetur edhe nëse shtyerja e Samitit të Parisit është sinjal se SHBA-të duhet të përfshihen në dialogun Kosovë- Serbi.

Lidhur me këtë ai ka thënë se është e pamundur që të gjithë ata që e duan rolin kryesor në këtë proces të jenë përkrahës të pavarësisë së Kosovës.

“Shqiptarët e Kosovës po flasin gjepura, ndërsa Haradinaj e ka filluar ndjekjen kundër serbëve për shkak se për Serbinë po vijnë ditë më të mira”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Sipas Vuçiq, Serbia i ngutet në këtë proces sepse shteti i tij po përparon shpejtë, dhe se siç thotë ai nuk do të përulet para askujt që do t’i asgjësojë interesat kombëtare për serbët.

“Serbisë i mbetet ta kërkojë zgjidhjen me kompromis , ndërsa për sa i përket njohjes së Kosovës- edhe po t’i sjellin 350 milionë amerikanët, ajo nuk mund të zgjidhet”, tha ai.

Siç u shpreh Vuçiq, amerikanët e dinë një gjë të tillë dhe kjo është arsyeja se pse ata e dëshirojnë dialogun.

Kujtojmë, se Samiti i Parisit i planifikuar të mbahej më 1 korrik është shtyer përfundimisht.

Ndonëse nuk ka ndonjë arsye zyrtare për këtë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës për veprime të pamenduara të cilat sipas tij i kanë kthyer prapa proceset shumë të rëndësishme.

Loading...