Vjosa Osmani i përgjigjet Lutfi Hazirit: Jam bijë e Mitrovicës, marre ju qoftë atyre që i bëjnë argat ndarjes së Kosovës

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani, ndaj sulmit që i ka bërë përmes rrjetit social Facebook, nënkryetari i partisë së saj, Lutfi Haziri, i cili ka ironizuar me deputeten Osmani, duke e quajtur nuse e Preshevës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka sulmuar deputeten Osmani, pasi kjo e fundit bashkë me dy deputetët LDK-së, Armend Zemaj dhe Haxhi Avdyli, kanë vizituar sot Kullën e Isa Boletinit në veri të vendit, prej nga ka dërguar mesazhe kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve.

Deputetja Osmani, duke iu përgjigjur nënkryetarit të partisë së saj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë”.

Postimi i plotë i deputetes Osmani:

“Para se të jem nuse e Preshevës, unë jam bijë e Mitrovicës.

Atyre që i bëjnë argat idesë së ndarjes do u thosha marre ju koftë, por kurrë në jetën e tyre s’kanë pasur as marre e as fytyrë.

Askush s’ka çka çuditet nga qëndrimet e mia, sepse ato janë qëndrime të LDK-së, të mbrojtjes së integritetit territorial, kushtetutës e deklaratës së pavarësisë dhe paqes dhe sigurisë në rajon, e të vulosura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këto qendrime nuk janë vetëm të miat, Armend Zemajt e Haxhi Avdylit, por janë të Kryesisë së LDK-së, degëve të LDK-së dhe gjithë Grupit Parlamentar të LDK-së. Por mbi të gjitha janë qëndrime që mbrojnë shqiptarët e Luginës nga gënjeshtrat e mashtrimet tuaja e të Hashimit. Qytetarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk përbijnë më dot kurthe që ju dhe Thaçi ua servoni e nuk lejojnë që dinjiteti i tyre të përdoret për perfitime tuajat elektorale.

Për fund, ju përshëndes me këto fjalë të heroit Isa Boletini nga viti 1901”,ka shkruar Osmani në Facebook, duke i bashkangjitur postimit thënien e Isa Boletinit.