“Vizat mund të mos hiqen as këtë vit”

Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të drejtuesve të institucioneve vendore se gjatë këtij viti Kosovës do t’i hiqen vizat nga Bashkimi Evropian, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka thënë për “Zërin” se procesi i liberalizimit të vizave ka shumë gjasë të mos përmbyllet as gjatë vitit 2019, pasi disa shtete anëtare ende nuk janë bindur që të votojnë pro. 

Kanë kaluar nëntë vjet prejse krerët institucionalë të Kosovës kanë nisur të japin zotime se do të ndodhë liberalizimi i vizave. Mirëpo as tash kur është bërë gati një dekadë nga fillimi i premtimeve për vizat qytetarët e Kosovës nuk po kanë mundësi të lëvizin lirshëm në hapësirën e vendeve të Shengenit.

Madje procesi i liberalizimit ka gjasa të mos përmbyllet fare as gjatë këtij viti. Kështu kanë pohuar për “Zërin” edhe zyrtarë të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) në Kosovë, të cilët kanë thënë se disa shtete të Bashkimit Evropian nuk janë bindur ende që të votojnë pro liberalizimit.

Prej shteteve kryesore që kanë hezitim në këtë drejtim sipas tyre janë Franca dhe Gjermania, ndonëse Gjermania sipas zyrtarëve të MIE-së kohët e fundit ka shfaqur disa sinjale pozitive sa u përket vizave.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Ramush Haradinaj këtë fillimjavë është shprehur optimist se liberalizimi do të finalizohet së shpejti. Por ekspertët e çështjeve të integrimit konsiderojnë se mund të mos merret kurrfarë vendimi për vizat deri më 2020-n.

 

Hezitimi i Francës për ta mbështetur liberalizimin

Teksa ka folur rreth liberalizimit zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian lidhur me çështjen e vizave, mirëpo disa shtete të BE-së ende po vazhdojnë të jenë skeptike sa i përket liberalizimit.

“Obligimet që i ka pasur Kosova karshi këtij procesi i ka përfunduar moti, por kjo është çështje krejt politike dhe besoj se tash edhe në opinion është bërë publike që sidomos Franca, por edhe Gjermania ka qenë hezituese, ndonëse Gjermania ka shenja pozitive në këtë drejtim. Por me sa duket Franca ende ka hezitim që të votojë dhe këtu ka ngecur puna”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Çelaj më tej ka thënë se me zvarritjen e këtij procesi qytetarëve të Kosovës po u bëhet një padrejtësi e madhe. “Mendoj se është çështje politike, se po u bëhet një padrejtësi e madhe qytetarëve të Kosovës që po shtyhet ky vendim, por kjo është ajo”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse kjo nënkupton se ka gjasa që edhe ky vit të shkojë pa viza, Çelaj ka pohuar se mund të ndodhë një gjë e tillë. “Po, gjasa ka”, ka thënë shkurtimisht zëvendësministri i Integrimit Evropian.

Pavarësisht tij, kryeministri Ramush Haradinaj gjatë kësaj jave konsideroi se është arritur progres i dukshëm sa i përket qëndrimit të Francës, pasi ky shtet nuk do ta bllokojë procesin e liberalizimit.

“Është arritur një progres, Franca nuk e bllokon ecjen përpara në agjendë dhe marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo është e vërteta”, ka theksuar Hardinaj pas një takimi që ka pasur me ministrin e Brendshëm francez, Christophe Castaner.

Pavarësisht optimizmit të kryeministrit se liberalizimi do të finalizohet së shpejti, Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme (LVV), ka thënë se situata aktuale brenda BE-së lë të nënkuptohet se mund të mos ketë viza as gjatë 2019-s.

“Sa i përket kryesimit të Presidencës nga Finlanda presim që ta dërgojë çështjen e liberalizimit të vizave në Këshill të Ministrave, por rezultati varet prej shteteve anëtare gjë që nuk po duket se do të ndodhë këtë vit, ngase shtetet kryesore kanë dërguar sinjale negative sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka deklaruar Pacolli për gazetën.

Katër faktorët që po e pengojnë liberalizimin

Në korrik të vitit 2018 Komisioni Evropian (KE) pati rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa në shtator të 2018-s Parlamenti Evropian (PE) pati votuar pro nisjes së negociatave mes Parlamentit, Këshillit të BE-së dhe KE-së për të siguruar lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës. Ky qëndrim i PE-së, sipas Taulant Kryeziut, kryetar i bordit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), u rikonfirmua edhe më 28 mars 2019.

“Sidoqoftë, pavarësisht vlerësimit të KE-së dhe të PE-së, vendet anëtare të BE-së ose Këshilli i BE-së nuk është duke e ndarë vlerësimin e njëjtë me dy institucione të cekura dhe tani qysh nga muaji shtator i 2018-s Këshilli i BE-së nuk ka ndërmarrë hapat drejt marrjes së vendimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Në këtë kontekst, siç është shprehur Kryeziu, janë katër faktorë të cilët janë duke e penguar liberalizimin e vizave për Kosovën. Mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar sipas tij është njëri prej këtyre faktorëve.

“Tre vjet pas kërkesës së KE-së për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit ne ende s’kemi asnjë aktgjykim përfundimtar dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht, vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Ky ishte së fundmi edhe qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Francës”, ka theksuar ai.

E dyta sipas Kryeziut ka të bëjë me Raportin e Vendit 2019, i cili ka identifikuar sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit.

Vendet anëtare, siç ka thënë ai, me shqetësim janë duke i përcjellë të gjeturat e Raportit të Vendit. Së treti, Kryeziu ka thënë se liberalizimi i vizave nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019.

Gjatë këtij viti, sipas tij, institucionet e BE-së do të janë të përqendruara në konstituimin e institucioneve të reja të BE-së, të dala nga zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian, në negociatat për buxhetin e BE-së për 2021 – 2027 dhe në menaxhimin e Brexitit. E fundit, siç ai është shprehur, ka të bëjë me mungesën e vullnetit politik për liberalizim të vizave.

“Brenda BE-së janë disa vende të cilat edhe për arsye të tyre brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këtu vende kyçe kundër janë Franca dhe Holanda. Rrjedhimisht, duhet të jemi skeptikë se institucionet e BE-së do të marrin vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. Gjasat janë se i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2020”, ka nënvizuar Kryeziu.

Loading...