Vajza pyet babanë në gjykatë: Pse më është vrarë nëna?

Xhafer Shkodra, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij gjatë gushtit të vitit të kaluar, sot dha mbrojtjen në gjykatën e Gjakovës.

Ai tregoi se jetonte në bashkësi familjare dhe se raportet me ish-gruan e tij i kishte pasur të mira.

Xhafer Shkodra shprehu keqardhje për rastin që, sipas tij, ka ndodhur pa dashje.

“Më vjen keq për fëmijët e mi, për miqësinë, për krejt, sepse fëmija pa nënë si nata pa hënë”, u deklarua i akuzuari Xhafer Shkodra.

“Rreth 35 vite kam jetuar me bashkëshorten time, me të cilën i kemi pasur raportet e mira dhe të hollat që i kemi fituar si familje ia kemi dorëzuar asaj”, deklaroi Xhafer Shkodra.

“Atë ditë kam marrë dy djemtë Januzin dhe Abedinin kemi dalë me punu me mbledhë plastika dhe letra nëpër mbeturina”, tha ai.

Shkodra tregoi se kur ishte kthyer nga puna, gruaja e tij tashmë e ndjerë, Raba, i kishte thënë që ta largonte armën prej shtëpisë.

“Raba i kishte thënë vajzës Leonora që t’ia sillte armën, ajo e sjelli dhe e ka lëshuar armën para meje në dysheme dhe është larguar, dhe pastaj e kam pyetur Raben a të gjuaj ta provoj”, deklaroi Xhafer Shkodra.

“Gruja m’ka thënë që provo por arma është e vjetër dhe nuk punon, ndërsa unë kam repetuar revolen dhe kam gjuajtur në drejtim të luleve në oborr dhe kur kam parë që Raben e kishte rrokur plumbi në pjesën e barkut ia kam parë gjakun e pastaj s’di asgjë se kam humbur”, tha ai.

I akuzuari tha se djali Shahini e ka thirrur policinë dhe i kishte thënë që të shkojë në Polici për të nënshkruar.

“Natën kur ka ndodhur rasti unë kam qenë krejt i humbur dhe nuk e di çfarë kam deklaruar dhe më tepër kisha dashur që ai plumb të më merrte mua se sa atë”, deklaroi ai para gjykatës.

Ai e kundërshtoi dëshminë e dëshmitares Nerxhivane Qorri, e cila kishte thënë që për shkak të tij Rabja ka pirë detergjent për pastrim. Ai tha se e ndjera e ka pirë atë 4 vite para rastit dhe se arsyeja e pirjes ishte se e kishte pasur të sëmurë vëllain e saj.

Në ndërkohë në sallë reagoi Din Ahmetaj, vëllai tjetër i të ndjerës, i cili tha se vëllai i tyre tash e 8 muaj ka kuptuar që po vuan nga një sëmundje e rëndë.

Tutje, i akuzuari Xhafer Shkodra tha se çdo natë e kishte pirë një gotë apo gjysmë gote të çajit bashkë me kafe.

Xhafer Shkodra, duke mos e pranuar deklaratën e tij në Polici, tha se nuk është mirë me kokën dhe se pas këtij rasti i ndodhë që të zgjohet natën dhe të trembet.

Më pas vajza e tij, Leonora Shkodra, u pajtua me dëshminë e babait të saj dhe tha se atë natë prindërit e saj nuk kanë qenë duke u grindur.

“Sikur ta kisha vërejtur se ata janë të acaruar ose duke u fjalosur, unë nuk i kisha lënë vetëm”, deklaroi e dëmtuara Leonora Shkodra.

Ajo pyet babin e saj, pse më është vrarë nëna?!

Në përgjigjen e tij i akuzuari Xhafer tha se “ngjarja ka ndodhur pahiri, unë e kam pasur shok të jetës, e kemi çuar shumë mirë mes vete”

“E kemi kopë hasmin, nuk kam dashur ta vras, tha ai.

Më pas Leonora pyeti babanë e saj se si ndihet tash kur me duart e veta e ka vrarë gruan.

Mirëpo kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani nuk e lejoi këtë pyetje, me arsyetimin se për këto çështje pyeten mjekët përkatës.

Seanca e radhës u caktua për datën 6 shtator për dhënien e fjalës përfundimtare.

Loading...