Tortura e dhunë ndaj një të arrestuari në stacionin e policisë në Gjakovë (VIDEO)

Është siguruar videon e torturës së ushtruar nga komandanti dhe pesë zyrtarët e Stacionit të Policisë në Gjakovë, ndaj një qytetari me duar të lidhura.

Në materialin e siguruar nga Policia e Kosovës, shihet dhuna e shfrenuar brenda stacionit policor të Gjakovës nga komandanti, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapitenit Bekim Preniqi, rreshterëve Gëzim Bilekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.

Uniformat e Policisë së shtetit, siç shihen në video, ushtrojnë në vazhdimësi brutalitet të pashembullt grupor ndaj të prangosurit, me grushte e shkelma, duke e sjellë atë deri në prag të agonisë, përmes përdorimit të dhunës në shkallën e torturës çnjerëzore, shkruan Gazeta Sinjali.

E tërë kjo harbutëri e policisë ndodhi gjatë detyrës zyrtare brenda Stacionit Policor, ndaj një qytetari me duar të lidhura i cili ishte vënë në kontroll të plotë të tyre dhe nuk paraqiste asnjë lloj rreziku për ushtruesit e dhunës. Përkundër kësaj, dhunuesit vazhdojnë t`i ushtrojnë funksionet e tyre zyrtare në vendin dhe pozitën e njëjtë sikur të mos kishte Prokurori fare.

Si dhe kur ndodhi ngjarja?

E tërë ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 14 nëntorit të vitit 2018, kur qytetari Muhamer Raifi nga Prishtina, sipas pohimeve të tij, teksa po priste një shoqe në parkun e qytetit të Gjakovës, ishte arrestuar dhe prangosur nga katër policë të cilët, siç theksonte ai, kishin filluar ta godisnin në të gjitha pjesët e trupit pa ndonjë shkas, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas ankuesit, policët e kishin tërhequr zvarrë përgjatë parkut dhe duke e rrahur e kishin dërguar në stacionin policor në Gjakovë.

Gazeta Sinjali posedon videon nga momenti kur Muhamer Raifi është sjellë i gjakosur në Stacionin Policor të Gjakovës, rreth orës 02:24 pas mesnate. Sipas pamjeve të filmuara, ai sillet në stacionin policor në gjendje të dërrmuar dhe me gjurmë të dukshme në fytyrë të dhunës fizike që ishte ushtruar ndaj tij.

Ashtu i prangosur, qytetari fillimisht vendoset në ulësen e korridorit të Stacionit Policor të Gjakovës, ku pas pak minutash nis drama çnjerëzore ndaj tij.

Sipas pamjeve të filmuara, dhuna ndaj Muhamer Raifit në Stacionin Policor, nis nga vetë komandanti, Kristë Gjokaj i cili e godet me grushte të prangosurin ashtu në gjendje të pashpresë duke e rrëzuar në dyshemenë e hollit të stacionit policor.

Nuk vonon shumë dhe Gjokaj pasohet nga vartësit e tij të cilët e rrahin qytetarin duarlidhur me grushta e shkelma.

Ashtu në gjendje të rëndë nga goditjet grupore, Muhamer Raifi, duarlidhur përpëlitet në pllakat e dyshemesë, sikur në çastet e fundit të jetës së tij pa i ofruar ndihmë askush.

Ndonëse në këtë gjendje të pashpresë dhe duke mos paraqitur rrezik për askënd, trupi i Muhamer Raifit bëhet cak i goditjeve të njëpasnjëshme nga zyrtarët policorë, të cilët ushtrojnë dhunë brutale duke provuar forcën fizike me sa takatë që kishin, raporton Gazeta Sinjali.

I prangosuri, pas rrahjes lihet në këtë gjendje plot 40 minuta në pllakat e dyshemesë së hollit të Stacionit Policor, në një natë nëntori të stinës së dimrit.

Ai më pas tërhiqet zvarrë nga korridori dhe dërgohet në një dhomë tjetër, ku nuk ka pasur kamera të sigurisë dhe sipas pohimeve të qytetarit, dhuna ndaj tij kishte vazhduar.

Rreth orës 04:00, qytetari i dërrmuar nga dhuna brutale, dërgohet në dhomën e ndalimit në Stacionit Policor, ku tortura vazhdon nga rreshteri Milot Ukaj, i cili në një moment shihet duke e kapur nga prapa për fyti të prangosurin, gati duke e ngulfatur, përderisa një zyrtar tjetër policor, shkep grushta e shkelma ndaj tij.

Loading...