Televizioni gjerman futet në konviktet e studentëve: S’kanë kushtet elementare, qeveria jeton në luks

0

Protestës disa javore të studentëve shqiptarë i është bërë jehonë edhe në mediat gjermane.

Televizioni ZDF ka transmetuar një reportazh në edicionin e lajmeve, ku theksohej se studentët kanë protestuar kundër qeverisë për disa javë, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe lidhje me narkotrafikun.

Në kronikë pasqyrohen pamje nga protesta, e cila tashmë zhvillohet para kryeministrisë dhe kërkesat e studentëve.

Grupin e xhirimit të “ZDF” e ka shoqëruar studenti Igli Tola, i cili u ka treguar dhe kushtet e këqija që janë konviktet në Shqipëri.

Pamjet e shfaqura tregonin tualetet e konviktit të studentëve në gjendje të mjeruar, me mure të mbuluar nga myku.

Gazetarja gjermane shprehet se studentëve ju mungojnë gjërat elementare, ndërsa njerëzit e qeverisë jetojnë në luks dhe janë të përfshirë në skandalet e korrupsionit.

Më tej në reportazh është intervistuar edhe zëvendësministrja e arsimit, Besa Shahini, e cila thekson se qeveria i ka ftuar studentet që të dialogojnë me ta në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje sesi mund ta përmirësohet gjendja në fakultete.

Por studentët nuk kanë pranuar, vijon gazetarja, pasi ata e kanë humbur besimin në elitën politike të vendit.

Ndërsa politologu, Afrim Krasniqi, nga Institutit Shqiptar për Studime Politike, ngre shqetësimin e pedagogëve me diploma të falsifikuara.

Në mesin e tyre janë edhe dy ministra në qeverinë e kryeministrit Rama, nënvizon Krasniqi, por ata nuk shkarkohen sepse janë bashkëpunëtorë të tij.

Në material theksohet se protestat  janë reagime të një brezi që për një kohë të gjatë askush nuk i ka marrë në konsideratë, mungon prespektiva dhe sistemi universitar kërkon reformim tërësor.

Studentët me kërkesat e tyre e kanë fituar përkrahjen e tërë vendit, përfundon reportazhi nga televizioni gjerman “ZDF”.