Serbia vazhdon ankesat, tani po akuzon FIFA-n që zgjodhi gjyqtar gjerman për ndeshjen me Zvicrën

0

Kryetari i Federatës Serbe të Futbollit ka akuzuar FIFA-n se ka anuar për Zvicrën në përballjen me Serbinë në Kupën e Botës në Rusi.


Slavisha Kokeza ka thënë se Serbia ishte viktime e “një grabitjeje brutale” në humbjen e së premtes 2 me 1, duke akuzuar FIFA-n se ka dërguar zyrtarë kundër Serbisë.

“Ne do të protestojmë sot në FIFA”, ka thënë Kokeza për BBC-në të shtunën. Një letër protestuese nga Serbia e ka konfirmuar edhe FIFA, por duke mos dhënë detaje shtesë.

Kokeza nuk ishte i lumtur që një gjyqtar gjerman, Felix Brych, kishte gjykuar ndeshjen, duke thënë se ka ndikuar në disa vendime, sidomos duke mos akorduar një penalti, kur Aleksandar Mitroviq u rrëzua nga dy mbrojtës zviceranë.

“Nuk po mendoj se është e gjitha te teknologjia VAR, por gjithçka u drejtua nga njerëzit që i caktojnë gjyqtarët. E dimë të gjithë se më shumë se gjysma e popullatës së Zvicrës është gjermane. Stafi teknik, lojtarët, njerëzit në Serbi ishin të zhgënjyer dhe të frustruar nga padrejtësia që bënë disa njerëz në FIFA”, ka thënë ai.

Sipas tij, “është e qartë se Evropa dhe bota e di që Serbisë iu bë vjedhje e madhe”.

Kokeza ka komentuar edhe festën me shqiponjë nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri që realizuan dy golat, duke i përshkruar veprimet si “skandaloze dhe të turpshme”.

Ai ka komentuar edhe flamurin e Kosovës në këpucën e Shaqirit.

“Duhet të ndëshkohet nga e gjithë bota e futbollit. Nuk ishte ai i vetmi provokim nga lojtarët. Një detaj i rëndësishëm ishte njëra këpucë e lojtarëve – këpucët kishin flamur të një shteti që nuk ekziston. Presim që FIFA t’i dënojë lojtarët që ishin kundër rregullave të FIFA-s dhe fair-playit, si dhe kundër federatës së tyre për kë luajnë”, ka shtuar ai.

FIFA konfirmoi të shtunën se ka hapur procedurë disiplinore ndaj dy futbollistëve shqiptarë si dhe federatës serbe për sjelljen e fansave, dhe përzgjedhësit të Serbisë për komentet pas takimit.

Loading...