Qeveria ndan 1.1 milionë për ta ndihmuar Suharekën

Shiu i rrëmbyeshëm që kishte rënë javën e kaluar kishte përmbytur pothuajse të gjitha fshatrat e kësaj komune dhe qendrën e qytetit.


Rreth 6.6 milionë euro llogaritet të jetë kostoja e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Komunën e Suharekës, sipas vlerësimeve fillestare të bëra nga Komuna.

Për të mbuluar dëmet e shkaktuara, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka mbështetur këtë komunë me 1.1 milionë euro.

Sipas Qeverisë, mjetet do të përdoren në kategorinë e shërbimeve publike komunale, infrastrukturën rrugore dhe në subvencione dhe transfere të Komunës së Suharekës.