Nesër protestë në Gjakovë: Për ndalimin e vrasjeve të Grave dhe Vajzave

Shoqëria Civile e Gjakovës në përkrahje nga RrGK-ja (Rrjeti i Grave të Kosovës) kanë konfirmuar përmes një komunikate për media se do të protestojnë nesër në Gjakovë pas vrasjes së Valbona Marku-Nrecaj dhe vajzës së saj nëntë vjeçare nga i dyshuari ish-bashkëshorti i saj, Pjetër Nrecaj.

“Në ora 11:00 marshojmë prej Parkut të Qytetit deri te Çarshia e vogël për të kundërshtuar vrasjen e gruas 40 vjeçare dhe vajzës së saj, në Brekoc të Gjakovës, dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

“Individ e aktivistë/e nga shoqëria civile, të bashkuar/a kërkojmë t’i japim fund dhunës dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime!”, thuhet në komunikatë.

Kjo protestë është organizuar si reagim kundër vrasjes së dyfishtë si pasojë e dhunës në familje, në Komunën e Gjakovës.

Dhuna në familje është krim, dhe si e tillë duhet trajtuar. Dështimi në ofrim të mbrojtjes për gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën na qon deri tek vrasja e tyre nga ushtruesit e dhunës.

Transporti nga Prishtina për në Gjakovë, organizohet nga Rrjeti i Grave te Kosovës. Autobusi niset nga parkingu prapa Pallatit te Rinisë, afër RTV 21 në ora 9:00 në mëngjes.