Presidenti Thaçi ndërtoi shtëpi 350.000 euro, por nuk ia paguan tatimin! (Dokumente)

I pari i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, po i bënë gati një vit që jeton me familje në shtëpinë e re në lagjen Çagllavica të Prishtinës, ndërtimi i së cilës i ka kushtuar 350 mijë euro, por të njejtës nuk po  ia paguan tatimin në pronë.

Portali “Front Online” ka siguruar dokumente ekskluzive, ku shihet se presidenti i Kosovës ka rreth 753 euro borxh të tatimit në pronë, ndonëse para të gatshme në bankë i ka rreth 25 mijë euro.

Derisa vlera e deklaruar e shtëpisë nga vet Thaçi në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKKK) është 350 mijë euro, Komuna e Prishtinës ia ka vlerësuar parcelën prej rreth 20 ari në vlerë prej 60 mijë euro, ndonëse çmimi i tregut për tokën në atë pjesë të kryeqytetit kalon shifrën prej 300 mijë euro.

Ndërsa për shtëpinë e Thaçit thuhet se ka sipërfaqe prej 816 metra katror dhe është vlerësuar 176 mijë euro, raporton portal “Front Online”, duke u bazuar në dokumentet zyrtare që i posedon.

Në anën tjetër, në formularin e deklarimit të pasurisë Thaçi ka shkruar se shtëpia ka sipërfaqe prej 450 metrash katror, apo gati për gjysmë më pak se që figuron në dokumentin zyrtar të Komunës së Prishtinës.

Në lidhje me sigurimin e mjeteve financiare për ndërtimin e shtëpisë, Thaçi ka nënvizuar se deri në fund të këtij viti e ka afatin e pagesës së shtëpisë.

“Nga shuma e deklaruar në vitin 2018 si para në llogari 136,688.81euro ,113,000 euro janë investuar në shtëpinë e kontraktuar”, thuhet mes tjerash në formularin e deklarimit të pasurisë të presidentit Thaçi.

Përndryshe, në shtetet perëndimore me rastin e publikimit të shkrimeve nga mediet për politikanët që s’i paguajnë tatimet, këta të fundit kanë dhënë dorëheqje.

Në vitin 1976 zëvendëspresidenti i SHBA-vë, Spriro Agnew, kishte dhënë dorëheqje kur kishte pranuar se nuk i ka paguar taksat. Ai ishte gjobitur financiarisht dhe ishte dënuar me kusht.

Edhe së fundi ka edhe raste tjera të ngjashme në botë, por asnjë rast i tillë nuk ka ndodhur deri më tani në Kosovë.

Loading...