Politika shqiptare si “han me dy porta”

Pavarësisht makiazhit politik që bën njëra apo tjetra forcë kur vjen në pushtet, Shqipëria e ka të pamundur të ecë përpara pa nisur më parë një veting të vërtetë, të plotë, të thellë e të pavarur në të gjithë sektorët kryesorë të vendit. Është e kotë t’i vijmë përreth me fjalë të bukura, e të përzgjedhura me kujdes, përsa kohë kjo është e vërteta e madhe për të cilën ka nevojë sot një shoqëri e zënë prej fyti nga njerëz me xhepa të thellë, që çuditërisht nuk ju mbushen kurrë. Ata me siguri nuk njohin ideale, besojnë vetëm tek paraja dhe nuk i etiketon dot nëse janë të një partie apo të një tjetre, sepse janë shpërndarë kudo si shushunja që thithin çdo ditë palcën e këtij vendi.

Ky veting nuk duhet të përkthehet e mjaftohet me nxjerrjen jashtë sistemit të këtyre njerëzve, por edhe në hetime që lidhen me pasurinë dhe asetet e tyre, hetim që shpesh dëgjoj të thuhet se duhet të shtrihet edhe jashtë vendit, e ndoshta ata që e artikulojnë diçka dijnë. Sigurisht kjo duhet të përfshijë ata që janë në politikë por edhe ata që tashmë qëndrojnë jashtë saj. Fjala aministi kaq shumë e dëshiruar nga qarqe të caktuara nuk duhet të ekzistojë dhe të gjithë ata që kanë abuzuar duhet të shkojnë para drejtësisë.

Kështu duhet ta ndodhë në politikën tonë që është bërë si han me dy porta, ku nuk merret vesh se kush hyn e kush del, kështu duhet të ndodhë në arsim ku drejtuesit në universitete janë fryrë sa nuk e di si nuk plasin, po kështu edhe në shëndetësi, padyshim edhe në media e kudo. Metastazat janë përhapur në trupin e këtij vendi dhe duhen eleminuar në thellësi, ndryshe sëmundja do të vijojë të jetë aty, e fshehur dhe e gatshme të përsëritet në rastin më të parë.

Pa veting të vërtetë e të pavarur ky vend nuk mund të ecë përpara, nuk mund të ndërtojë një të ardhme. Sigurisht këto procese nuk duhet të kenë ngjyra, duhet të shkojnë përtej retorikës politike dhe t’i zënë për zverku të gjithë ata që kanë abuzuar dhe sot fërkojnë barkun e nginjur, krenarë për hajdutërinë e tyre.

Kjo është e vetmja zgjidhje dhe kjo nuk ndryshon duke hequr një të korruptuar e duke sjellë një tjetër, kjo ndryshon duke i treguar të gjithë hapur në dritë të diellit.

Diferencën më pas e kemi vetë ne dorë për ta bërë!