Pazari Vuçiç-Thaçi/Edhe vendlindjen e Isa Boletinit do ta marrë Serbia!

Publikohet dokumenti i organizatës serbe që parashikon ndarjen e Kosovës. Serbia merr pesë komunat e veriut, Trepçën dhe liqenin e Ujmanit. Mbajën edhe 2/3 e Luginës së Preshevës.

-Ish-kryeministri Berisha: “Korrigjimi i kufijve” është termi që përdorin serbët dhe argatët e tyre në Prishtinë. Ky është copëtimi i Kosovës.

Në Prishtinë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi hodhi për diskutim idenë e “korrigjimit të kufijve” me Serbinë duke marrë Luginën e Preshevës. Propozimi u servir nga Thaçi si risi në fushën e negociatave dhe ka shkaktuar polemika të ashpra në gjithë hapësirë shqiptare si një lëvizje e pamenduar mire, bile akuzat shkojnë edhe më tej; që kjo gjë është projektuar në Beograd, por e shpalli Hashim Thaçi në Prishtinë. Megjithë rrëmujën që ka shkaktuar Presidenti Thaçi këto ditë në Tiranë dhe Prishtinë, ideja e tij, çuditërisht është pritur mirë nga Serbia. Dje, presidentit Aleksandër Vuçiç tha se mbështeste propozimin për rishikimin e kufijve. Këto zhvillime duket sikur janë rastësore, por në fakt tregojnë të kundërtën. Propozimi që mbështet Hashim Thaçi nuk është as i ri dhe as një prodhim i diplomacisë së Kosovës dhe aq më pak shqiptare. Një dokument i publikuar dje nga ish-kryeministri Sali Berisha sjellë një panoramë krejt tjetër të asaj që po luhet me Kosovën. Berisha prezantoi një ekspertizë të Qendrës për Studime Euro-Atlantike e cila është një organizatë e shoqërisë civile me qendër në Beograd. Misioni i saj është hartimi i studimeve rajonale me synimin ndihmën ndaj qeverisë dhe shoqërisë serbe për integrimin në BE dhe në NATO. Një studim i fundit i kësaj qëndre, në muajin qershor 2018, sugjeron që zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës të bëhet pikërisht siç thotë sot Hashim Thaçi dhe siç po e mbështet Vuçiç. Që në hyrje të studimit jepet përmbledhja e gjithë debatit që po zhvillohet këto ditë. Sipas ekspertëve serbë, negociatat 10 vjeçare Kosovë-Serbi në Bruksel kanë dështuar, pasi Beogradi nuk pranon njohjen e pavarësisë. Receta që jep shoqata është kjo: “Një pjesë e NATO dhe BE nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për këtë arsye, po sugjerojmë që nën kujdesin e Perëndimit negociatat duhet të organizohen me korrigjimi i vijës administrative midis Serbisë dhe Kosovës, që pak a shumë do të përfshinte komunat në veri të Kosovës (Mitrovica veriore, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi) të banuara kryesisht nga popullsisë serbe”. Studimi përdor të njëjtën gjuhë që përdori si risi Hashim Thaçi, “korrigjim kufijsh”, vetëm se flet me detaje për pjesën që do të marrin serbët dhe jo për zgjerimin e hartës së Kosovës, siç pretendon presidenti Thaçi. Dhe çudia me e madhe, ose tradhtia, mbetet se tek ajo që kërkojnë serbët të marrin si shkëmbim nga Kosova është Kulla e Boletinëve, ku ka lindur me 15 janar 1864 Isa Boletini, një prej themeluesve të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është kriminale, nëse ndodh. Heroi i Kosovës Isa Boletini ishte luftëtari që dha jetën për Shqipërinë dhe në veçanti për Kosovën. Ai u vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, më 23 janar 1916.

Pra Kosova merr një pjesë të Luginës së Preshevës, por humbet 2/3 e Luginës në fjalë, si heq dorë nga katër komunat në veri të Mitrovicës, ndër to edhe vendlindjen e Isa Boletinit. Po kështu humbet minierën e Trepçës dhe liqenin jetik për energjinë elektritike të krejt Kosovës, liqenin e Ujmanit. Një tjetër element i studimit nga instituti i Beogradit është hedhja e idesë që marrëveshja të realizohet në një format të gjerë, kur dëshmitar të paktit duke shprehur dakordësinë të jenë dhe Shqipëria, Maqedoni, Kroacia, Bosnja dhe Mali i Zi. Ekspertët serbë thonë se ky korrigjim (ku Serbia pa dyshim që fiton) nuk sjellë asnjë tension në rajon. Këtë e bazojnë në faktin se Shqipëria është pjesë e NATO, Maqedonia është duke u anëtarësuar dhe të dy vendeve nuk u intereson që të rihapin probleme. Kjo sipas serbëve, por mundet edhe miqësia Rama-Vuçiç të jetë ndikuar në këto pazare të fshehura për ndarjen e Kosovës. Megjithatë kryeministri dhe qeveria shqiptare akoma nuk kanë folur.

Pavarësisht asaj që thonë disa ekspertë serbë, në dokument bie në sy se shumë nga pikat përputhen me ato që thotë Hashim Thaçi. Janë të njëjtat teza, me disa retushime të vogla. Reagimi i Beogradit ka qenë sigurisht në të njëjtën linjë. I vetmi ndryshim është se serbët flasin për marrjen e Kosovës së Veriut, pikërisht 4 komuna dhe japin detaje për popullsinë, pasuritë dhe kilometrat, ndërsa Thaçi flet për Luginën e Preshevës, një herë për gjysmën dhe më pas për çerekun e saj. Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi këtë projekt si “gatim të kuzhinës serbe”, në të cilën janë bërë pjesë dhe një pjesë e politikanëve shqiptare duke nënkuptuar Hashim Thaçin. Dokumenti zbulon se pjesë e projektit është dhe qeveria e Shqipërisë, e cila deri më sot nuk di (!) çfarë po ndodhë me Kosovën. Mbase ka ardhur koha që të flasë, pasi i ka dalë emri si dëshmitarë në një pakt-pazar të paqartë dhe me shumë rreziqe për vet shqiptarët. Ndërkohë nga deklaratat e Thaçit dhe “shkeljet e syrit” të Vuçiçit në lojë kanë hyrë dhe ndërkombëtarët. Idetë e hedhura kanë trazuar Ballkanin dhe në qëndrimet e ndërkombëtarëve shihet pasiguria që sjellë loja me kufijtë. Ambasadori i SHBA në Beograd, Kyle Scott tha dje se SHBA mbështet fuqishëm dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe kërkoi nga palët që të jenë “krijuese dhe fleksibile” në gjetjen e zgjidhjeve. Ndërkohë ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ishte e prerë në qëndrimin e saj teksa thotë se idetë për ndarjen e kufijve janë destabilizuese për gjithë rajonin. Politika gjermane nuk ka ndryshim kur vjen fjala për ndryshime të kufijve. Ambasada Gjermane në Prishtinë ka risjellë dje për mediat qëndrimin e ministrit të shtetit gjerman, Michale Roth, i cili më herët ka thënë se “ndarjet e kufijve janë të rrezikshme për rajonin”. Qëndrimi final i ndërkombëtarë do të mësohet vetëm kur propozimi i Hashim Thaçit të prezantohet në tavolinën e bisedimeve me Aleksandër Vuçiç, në shtator në Bruksel. Por ajo që shkakton habi në gjithë këtë proces është sesi presidenti i Kosovës, prezantohet thuajse me të njëjtën ide që ka hedhur për diskutim në opinionin publik një organizatë “e pavarur” në Beograd.

Presidenti Thaçi e bëri punën e tij, kryeministri Haradinaj është hapur kundër ndryshimit të kufinjve, ndërsa qeveria shqiptare nuk thotë asnjë fjalë deri dje. Pse? Apo është pjesë e tryezës së fshehtë Vuçiç-Thaçi?