Notat në ditar më nuk do të vihen me numra

Nota 5 në libreza të nxënësve tashmë është zëvendësuar me “arritje të plotë të rezultateve”.

Nxënësit e klasave të para dhe të dyta nuk janë notuar numerikisht

Mësimdhënësja Selvete Mujaj ka bërë të ditur se në shkollën “Faik Konica”, ka filluar së aplikuari vlerësimi përshkrues sipas udhëzimit administrativ, duke treguar kështu përshkrimin për secilin nivel të nxënësit.

E psikologia e shkollës thotë se ky vlerësim nga nxënësit ende është i panjohur dhe ndoshta i papranueshëm, meqë kryesisht klasat e para dhe të dyta janë të prira të notohen me notat 4 ose 5.

Por, sipas saj, kjo formë u mundëson edhe prindërve që të kërkojnë më shumë llogari nga mësimdhënësit për rezultatin e fëmijëve të vet.

Edhe në shkollën model “Qamil Batalli”, po aplikohet ky vlerësim.

Sipas prindërve, kjo është në të mirë të fëmijëve, por që ende as ata nuk po e kuptojnë mirë konceptin e këtij vlerësimi.

E, sipas zyrtarëve të shkollës, deri tash nuk është paraqitur asnjë ankesë nga prindërit, çka do të thotë se vlerësimi është pranuar mirë.

Mustafë Kadriu, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, ka thënë se nuk bëhet fjalë për eksperiment, ndaj dhe kjo formë e vlerësimit të nxënësve do të vazhdojë.

Klasat e para dhe të dyta, përveç gjatë orës mësimore, këtë lloj vlerësimi do ta kenë në vazhdimësi.

Ndryshimi i vetëm do të jetë se kur të përfundohet edhe klasa e dytë, nxënësit suksesin do ta kenë me shkronja.

Shkronja A, tregon nivelin e lartë të mësimnxënies deri te shkronja C, ku tregon për sukses të mjaftueshëm për nxënësit.