Lekaj u dha monopol Devollëve edhe në shtypjen e numrave identifikues të veturave

Ministria e Infrastrukturës në krye me ministrin tani të dorëhequr Pal Lekaj më 14 maj të vitit 2018 ka marrë vendim që t’i sjellë të tjera përfitime Qendrës Kosovare të Automjeteve “Eurolab”.

Udhëzimi Administrativ i prillit të vitit 2018 i ka paraprirë një vendimi e më pas një autorizimi të kësaj ministrie që numrat VIN t’i shtypë “Eurolabi”. VIN-i është numri identifikues i veturës.

Nga dokumentet, që ka në posedim Koha Ditore, del se “Eurolabi” këtë autorizim e ka që nga 17 maji i vitit 2018. Në total ky shërbim, sipas çmimores së kësaj ministrie, kushton 100 euro. Prej tyre 20 euro shkojnë për “shqyrtimin e mjetit dhe historikut për lejim të rishtypjes se VIN-i” dhe 80 euro për “ekzekutimin e rishtypjes së VIN-it”.

Udhëzimi Administrativ është nënshkruar nga Lekaj më 17 prill 2018. Më 14 maj është formuar Trupa Kompetente për Lejim të shtypjes së VIN-it për automjete. Kjo trupë përbëhet nga 7 anëtarë. Tre ditë pas kjo ministri ka nxjerrë autorizim për kompaninë “Eurolab”, përmes së cilës e klasifikon këtë kompani si kompetente për shtypjen e numrave VIN.

Loading...