“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës trajton gratë si objekte”, reagon RrGK

Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi pas takimit të mbajtur rreth luftimit të korrupsionit në vend, pasi kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli trajton gratë si objekte duke thënë: "Do ti deklaroni edhe ka sa gra i keni". Më poshtë mund të ndiqni reagimin nga Rrjeti.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës trajton gratë si objekte

Me 19 nëntor, mediat vendore raportuan titujt “Veseli e do ndëshkimin e atyre që përdorën pushtetin për të bërë para, vetura e gra”, “’Çartet’ Kadri Vesli: Do ti deklaroni edhe ka sa gra i keni”, “Veseli: Të korruptuarit dihen, ata që kanë shumë makina, shtëpi e gra”.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, dhe kryeshefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Shaip Havolli, u takuan për të biseduar rreth luftimit të korrupsionit në vend.

Mediat vendore cituan një deklaratë të kryetarit të Kuvendit, ku ai thotë se: “Qytetarët janë lodhur në një masë me termin ‘Lufta kundër korrupsionit’, ‘lufta kundër korrupsionit’ don rezultate. Do të ketë rezultate, të jeni të sigurtë, por na duhet edhe ndihma e tyre. I njohin ata të cilët janë të korruptuar. Nga i bënë gjithë atë pasuri, të gjithë ato shtëpi, të gjithë ato makina, nga i bënë të gjithë ato gra”.

Fakti se për kryetarin Veseli, gratë objektifikohen dhe trajtohen njejtë sikur pasuria e makina, ka nxitur shqetësim për Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK). Sipas kësaj deklarate të Kryetarit Veseli, gratë janë vetëm një objekt, të cilin, burrat e korruptuar e kanë lehtë ta kenë në “pronësi”, njejtë sikur paranë apo makinat.

Për RrGK-në, Kadri Veseli, ka shkelur çdo parim të etikës në këtë deklaratë, veçanërisht marrë parasysh rolin dhe institucionin të cilin ai përfaqëson. Tutje, RrGK beson që kryetari i Kuvendit ka obligime dhe detyra më parimore.

RrGK poashtu i rikujton z. Veseli se mes burrave dhe grave ka një dallim të madh në shfrytëzim të pushtetit, andaj, në rast se ai apo cilido qytetarë ka njohuri se një grua është duke u keqpërdorur sepse një burrë po e ushtron pushtetin e tij ndaj saj, atëherë z. Vesesli por edhe secili qytetarë ka për obligim ligjor t’i raportojë rastet e tilla, e jo të objektifikojë apo të fajësojë viktimat.”

http://www.womensnetwork.org/documents/20181120145354791.pdf