Gent Caka, Europa dhe xhamitë e Kosovës

0

Për të mësuar se cilat janë kredencialet e z. Gent Caka, i përfolur si njeri i lexuar dhe me mendim të mençur politik, pashë një intervistë që ai ka dhënë para pak muajsh në emisionin “Zona e debatit” me gazetarin Baton Haxhiu.

Më ra në sy stili i tij i rrëmbyer deri në gjaknxehtësi për të argumentuar se përse Europa ia refuzon vizat Kosovës. Nëse një ministër i jashtëm përpiqet të argumentojë me këtë lloj pasioni, ai kurrë nuk mund të jetë ministër, cilido qoftë bagazhi i tij i dijeve.

Dakord, kemi të bëjmë thjesht me një intervistë në një televizion të Kosovës dhe jo me një fjalim në një forum politik (dipllomatik) europian. Gjithashtu, njeriu që intervistohet është një zëvendësministër i jashtëm i Shqipërisë dhe shpreh pikëpamjet e tij personale.

Por cilido diplomat europian i akredituar në Tiranë ose në Kosovë që e ka dëgjuar atë intervistë, me siguri është larguar me një shije të hidhur.

Një parim i vjetër i artit diplomatik thotë: “Kurrë mos i urre armiqtë e tu, sepse kjo të errëson gjykimin”.

Por, kur dëgjon diskursin e Cakës dhe breshërinë e fjalëve që ai lëshon kundër Bashkimit Europian, kupton menjëherë se përpara ke një njeri me logjikë të errësuar nga pasioni. Në shënjestër të Cakës dhe kritikave të tij është politika e Bashkimit Europian, që sipas diplomatit tonë gati-gati përpiqet ta margjinalizojë Kosovën. Për Gent Cakën, Bashkimi Europian është gati-gati një armik qe na e ka me hile.

Është mirë të mos harrojmë se në vitin 1999, kur Caka ishte ende fëmijë, Bashkimi Europian, një komunitet shtetesh me diversitet të madh etnik dhe kulturor, ndoqi udhëheqjen e Amerikës dhe hyri në luftë me Serbinë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Perëndimi mori mbi vete një risk të madh diplomatik, duke u përballur me dy shtete të mëdha, Rusinë dhe Kinën, për të dëbuar serbët nga Kosova.

Më vonë, ishte përsëri Bashkimi Europian që bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu kundërvunë Rusisë për të arritur pavarësinë e Kosovës dhe për ta rritur e konsoliduar shtetin e ri.

Edhe pse Amerika luajti rolin kryesor, BE mbështeti çdo nismë të partnerit të saj përtej Atlantikut për t’i dhënë Kosovës drejtimin pro-perëndimor. Që nga ajo kohë, Prishtina ka patur privilegjin të gëzojë bashkëpunimin e disa prej vendeve më të zhvilluara kulturalisht dhe ekonomikisht të globit.

Gent Caka, i katapultuar në pozicionin më delikat të politikës së qeverisë shqiptare me Perëndimin duket se nuk ka një ide të qartë se ç’është Europa, cilat janë prioritetet e saj dhe cila është logjika e pozicionimeve të saj perballe Kosovës.

Ka rëndësi të kuptojmë se për hir të Kosovës dhe perspektivës së saj në komunitetin e Perëndimit, disa prej vendeve të BE kanë pranuar të ndryshojnë radikalisht marrëdhëniet tradicionale me Serbinë. Franca, aleate e dikurshme e Jugosllavisë së Pashiqit, nuk është më mikja besnike e serbëve dhe kjo nënkupton shumë për Kosovën. Gjermania është sot fuqia europiane tek e cila Kosova mund të mbështesë shpresat për zhvillim ekonomik dhe fjalën e së cilës duhet ta dëgjojë me kujdes. Disa vende të tjera europiane ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, por ato kanë dërguar trupa paqeruajtëse në Kosovë dhe japin ndihma të tjera ekonomike. Mosnjohja prej tyre e Kosovës bëhet për shkaqe të brendshme politike, kryesisht të strukturës etnike në vendet e tyre, dhe është detyrë e Kosovës që t’i mirëkuptojë.

Si njeri me një edukim perëndimor, Gent Caka me siguri i kupton këto ndjeshmëri. Por sjellja e tij ndaj vendeve partnere perëndimore që nuk i japin Kosovës lirinë e udhëtimit pa viza është në nivelin e grindjeve të një fëmije dhe nxjerrin në pah një boshllëk të madh në formimin e tij kulturor. Në zanatin e diplomacisë është mirë që disa gjëra të lihen pa thënë.

Pa folur se ku konkretisht e ka burimin cektësia e argumenteve të Cakës, është e nevojshme të bëjmë disa parashtrime.

Kosova është një vend me shumicë absolute myslimane. Islami në Kosovë ka rrënjë të vjetra dhe historikisht është përdorur me sukses prej shqiptarëve për të shmnagur asimilimin nga fqinjët e krishterë sllavë. Edhe sllavët nga ana e tyre janë përpjekur të shfrytëzojnë faktin që shqiptarët në Kosovë janë myslimanë për t’i treguar Europës se shqiptarët nuk meritojnë të kenë një shtet në këtë gadishull të ndjeshëm të kontinentit.

Islami mes shqiptarëve historikisht ka patur një natyrë të moderuar dhe ky ka qenë një plus i madh për ta. Duhet të kuptojmë se ndërsa dikur trojet shqiptare ishin kufiri mes Islamit dhe Krishterimit, sot ky kufi ka lëvizur drejt lindjes. Vendet ku jetojnë shqiptarët sot janë përfundimisht pjesë e Perëndimit.

Por shqiptarët kanë nevojë t’i bëjnë shumë pyetje të vështira vetes dhe të angazhohen në atë që quhet “kërkim i shpirtit”. Pyetje të tilla mund të ishin: Përse disa europianë na shohin me dyshim? Cili është identiteti ynë i vërtetë kulturor dhe fetar? A duhet ta kërkojmë atë në Turqi dhe Arabi, apo të përqafojmë plotësisht realitetin e të qenit shqiptar dhe t’i kushtojmë më pak rëndësi përkatësisë sonë fetare? A duhet të jetë Islami baza e sjelljes dhe e kulturës sonë? A duhet t’i edukojmë fëmijët me parimet e fesë islame apo me zakonet dhe traditat tona stërgjyshore europiane?

Këto janë pyetje thelbësore, anipse të vështira, që politikanët dhe diplomatët shqiptarë duhet t’u përgjigjen në një mënyrë apo në një tjetër. Brenda vetes sonë ato janë të pashmangshme.

Në këtë kuptim, kritikat pa takt dhe me tone ankesash fëmijnore të Gent Cakës në adresë të Bashkimit Europian, janë problematike dhe të shtyjnë në mendime të thella.

Cilido europian që shkon për herë të parë në Kosovë befasohet nga numri i madh i xhamive dhe ka përshtypjen se ndodhet në Lindjen e Mesme dhe jo në Europë. Në çdo fshat ka xhami, dhe jo një por disa. Çfarë ndodh brenda këtyre xhamive mjafton te ndjekësh referatet mesjetare te hoxhallareve ne youtube si p.sh. Shefqet Krasniqi ne Prishtine dhe Irfan Salihu ne Prizren.

Disa prej këtyre xhamive as që përdoren dhe janë bosh brenda. Shpesh ato janë ndërtuar me fonde te dyshimta për t’u treguar shqiptarëve të Kosovës se shpirti i tyre i përket Lindjes dhe jo Perëndimit.

Në vitin 2016, gazeta amerikane New York Times shkruante: “Klerikët ekstremistë dhe shoqatat sekrete të financuara nga sauditët e kanë transformuar këtë shoqëri myslimane, dikur tolerante, në një burim për ekstremizmin”.

Edhe pse Shqipëria është më pak e hapur ndaj Islamit të skajshëm, tejmbushja e saj me xhami të fiancuara nga Turqia e Erdoganit është po ashtu befasuese për një vizitor europian.

Janë të paktë ata zyrtarë në Kosovë që i bëjnë pyetjen vetes dhe shoqërisë se përse Europa ka dyshime ndaj shqiptarëve dhe ende nuk është e gatshme t’i pranojë në gjirin e saj.

Sa herë që në qarqet e Kosovës dhe të Shqipërisë diskutohet për Europën, anashkalohet “elefanti në dhomë”, problemi i madh i cili dukshëm ekziston, por qe askush nuk dëshiron ta shikojë. Në rastin që shqyrtojmë “elefanti në dhomë” është perkatesia fetare e shqiptareve.

Edhe pse nuk shprehet hapur, Europa kërkon prova se Kosova është e bindur për t’u bërë pjesë pandarë e Perëndimit. Europa shumë gjëra i nënkupton, por sinjalet e saj janë shpesh herë të qarta për ata që duan të kuptojnë.

Për një diplomat prioritetet kanë shumë rëndësi. Në vend që të bëjë “kërkimin e shpirtit” dhe të ngrejë pyetje të vështira siç janë ato që i cekëm më sipër, Gent Cakaj me një batare pa fund fjalësh sulmon politikat e Bashkimit Europian si të pandjeshme ndaj Kosovës dhe Shqipërisë.

Sigurisht, mosmirënjohja dhe morali nuk mund të jenë pjesë e politikëbërjes. Por kandidati për ministër të jashtëm do të duhej që së paku të njohë problemet e thella që ka shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, të kuptojë racionalen e vendimeve europiane, në vend që të sulmojë Bashkimin Europian dhe institucionet e tij, në vend që të përpiqet të gjejë të çara në këto institucione dhe t’i tregojë Europës se si duhet bere punet.

Diplomati i vërtetë është ai që mendohet dy herë përpara se të mos thotë asgjë.

Loading...