Dalin pamjet: Ia ku ndodhej ‘daja’ nga Peja gjatë grabitjes milionëshe në Rinas

Në kohën kur Admir Murataj dhe grupi i armatosur zbarkoi në pistën e Rinasit dhe në barkun e një avioni grabitën miliona euro, kosovari Ragip Hajdini i njohur me pseudonimin ‘daja’ ndodhej në një lokal në Spitallë të Durrësit në shoqërinë e disa miqve.

Sikurse shihet në video, pejani Hajdini, shfaqet në derën e lokalit në orën 14.15 minuta të datës 9 prill. Ai mbërrin aty me një makinë tip Smart, ngjyrë e zezë.

Pasi qëndron disa minuta në këmbë përpara lokalit, Hajdini hyn në ambientet e brendshme ku i bashkohet një grupi personash, në shoqërinë e të cilëve qëndron për afro 3 orë.

Referuar orës së kamerës së sigurisë, Hajdini i la ambientet e lokalit pasdite vonë, pamjet janë siguruar ekskluzivisht nga ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’.

“Kam miqësi me Aleksandër Muratajn, vëllain e Admirit. Kam qenë dhe në varrimin e Admirit në Tropojë. Por nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Jam ndodhur në lokal me miqtë e mi ditën e ngjarjes”, iu tha Hajdini hetuesve menjëherë pas arrestimit.

Pas kësaj dëshmie, prokurorët e Krimeve të Rënda, sekuestruan kamerat e sigurisë, të cilat i kanë dërguar për ekspertizë.

Avokati Marash Ndoci, përmes një memoje i ka kërkuar institucionit të akuzës, që krahas sekuestrimit të pamjeve, të marrë dëshmitë e personave që ishin në shoqërinë e 50-vjeçarit nga Peja.

Loading...