Connect with us

Lajme

Lajçak: Bashkëpunimi me SHBA-të, shumë i rëndësishëm për një marrëveshje Kosovë-Serbi

Publikuar

me

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë shpreson në një bashkërendim më të mirë mes Brukselit dhe Uashingtonit lidhur me Ballkanin, me ardhjen në fuqi të administratës së re amerikane.

“Me zgjedhjen e një presidenti të ri dhe administratës, ne presim që të kthehemi në pozicionin shumë të mirë të bashkëpunimit më të afërt të mundshëm me partnerët tanë të SH.B.A.-së në të mirë të vendeve dhe popujve të rajonit”, tha Miroslav Lajçak në një diskutim virtual organizuar nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare e Universitetit Johns Hopkins.

Ai tha se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për arritjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se deri tani kishte pyetje në rajon lidhur me ato që dukeshin si qëndrime të ndryshme nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.

Administrata e presidentit Donald Trump kishte nxitur dy palët për një zgjidhje që të realizohej përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik. Takimi me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë në shtator ishte i nivelit më të lartë që të dyja palët kanë pasur ndonjëherë në Washington, por analistët vunë në dukje se ai dukej i pakoordinuar me Bashkimin Evropian.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden, ka shprehur një qëndrim më tradicional diplomatik në lidhje me dy vendet.

Lajçak tha se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të kontribuonte pa dyshim në stabilizimin e rajonit “sepse së pari ka serbë dhe shqiptarë që jetojnë në çdo vend të rajonit dhe së dyti, natyrisht cilindo model të zbatojmë në këtë dialog dypalësh, ai mund të jetë me interes për fqinjët”.

Ai tha se çdo marrëveshje që mund të arrihet mes palëve duhet “të jetë e bazuar në parimet dhe vlerat evropiane sepse përveç normalizimit të marrëdhënieve, qëllimi po aq i rëndësishëm është t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë më pranë Bashkimit Evropian”.

Lajçak tha se optimizmi i tij për një marrëveshje të mundshme mbështetet tek angazhimi i të dyja palëve dhe tek përfitimet që do të sillte ajo.

“Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, dialogu është çelësi për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Nuk ka asnjë alternativë përveç dialogut, kështu që kjo do të thotë që ata të dy duan të ardhmen në BE dhe për këtë arsye e dinë se kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, u shpreh Lajçak.

I dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet e pranoi se të dyja palët e interpretojnë ndryshe normalizimin me Kosovën që e ka bërë të qartë që do njohjen e plotë dhe Serbia që pyet se çfarë do të marrë në këmbim.

“Nuk është e lehtë sepse kemi të bëjmë me çështje të shtetësisë, identitetit dhe askush nuk dëshiron të dalë si humbës, por interesi ynë nuk është të kemi një fitues dhe një humbës. Interesi ynë është që të gjithë të fitojnë në këtë proces”, theksoi Lajçak.

Megjithatë ai qartëson se nuk është dakord me filozofinë që për çfarëdo që palët bien dakord, “ne duhet ta pranojmë sepse ne (BE) jemi gjithashtu mbrojtësi i vlerave Evropiane”.

“Ne duhet të sigurohemi që rezultati përfundimtar do t’i afrojë ata me Bashkimin Evropian dhe jo t’i çojë më larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se produkti përfundimtar, marrëveshja përfundimtare do të jetë e pranueshme për vendet anëtare të BE-së dhe gjithashtu për vendet e rajonit”, tha ai.

Lajçak shtoi se një alternativë që nuk do t’i plotësonte këto parametra sipas tij ishte ideja e shkëmbimit të territoreve.

“Ne jemi këtu për të qenë pjesë e një zgjidhjeje evropiane, një zgjidhje për shekullin 21 dhe jo zgjidhja që bazohet në shekullin e 19-të”.

Por ai shtoi se në të njëjtën kohë ndërmjetësit nuk mund ta dëshirojnë marrëveshjen më shumë sesa e dëshirojnë palët dhe se palët duhet ta duan normalizimin që ai të arrihet dhe ai mendon se në këtë moment të dyja palët e duan një gjë të tillë.

Lajme

Ministri Zemaj tregon se a do të hiqet të dielën ora policore

Publikuar

me

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se ora policore do të vazhdojë të jetë e njëjtë edhe gjatë kësaj jave.

Sipas tij, nuk do të ketë përjashtime as në ditën e diel, kur do të organizohen zgjedhjet për kryetar në Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

“ Asnjë masë lehtësuese nuk do të ketë, ne do të shtojmë edhe më shumë mbikëqyrjen ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë masat. Në do të dakordohemi me KQZ-në. Ata duhet ta rregullojnë orarin për votime, kjo nuk është në interesin tim”, ka thënë ai.

Zemaj kritikoi zyrtarët politikë në komunën e Podujevës, të cilët sipas tij nuk kanë qenë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve, kësisoj sipas tij, edhe kanë shkelur masat mbrojtëse.

Përndryshe, ministri foli edhe masat mbrojtëse nga virusi Covid-19, me ç’rast përjashtoi mbylljen e kufijve.

Ai tha se asnjë shtet nuk e ka marrë një vendim të tillë, andaj do të vazhdohet me masat e deritanishme.

“Askush nuk mund të vi nga vendet me rrezikshmëri të lartë pa dëshmuar se është i shëndosh, ata që nuk e kanë testin shkojnë në izolim për 7 ditë. Kështu e kanë është shtetet tjera të rajonit”, ka shtuar ai në emisionin radar.

Vazhdo ta lexosh

Lajme

KFOR-i dhuron pajisje mjekësore në qendrën shëndetësorë në veri të Kosovës

Publikuar

me

Ushtarët amerikanë dhe grekë të KFOR-it dhuruan instrumente dhe pajisje mjekësore duke përfshirë një sterilizues, një elektrokardiogram, sisteme të monitorimit të glukozës dhe mjete të tjera diagnostikuese në qendrën lokale shëndetësore në Zervnicë, në veri të Kosovës.

“Donacioni është pjesë e ndihmës së dhënë paanshëm nga dega e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak të operacionit të udhëhequr nga NATO për institucionet lokale dhe komunitetet, për të përmirësuar mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Doktoresha Mirjana Blagojeviq– zëvendës-drejtoreshë e Spitalit Rajonal të Mitrovicës – falënderoi pjesëtarët e Komandës Rajonale Lindje të udhëhequr nga SH.B.A. dhe të Ekipit Grek të Ndërlidhjes dhe Monitorimit për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga KFOR-i për institucionet shëndetësore lokale, veçanërisht gjatë COVID-19”, thuhet në njoftimin për media.

Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë, KFOR-i ka kryer rregullisht detyrat e tij të sigurisë duke kontribuar në reagimin vendor ndaj COVID-19 përmes furnizimit të pajisjeve të mbrojtjes personale dhe dezinfektimit të objekteve publike.

Vazhdo ta lexosh

Lajme

Vdes aktivisti i AAK-së nga Gjakova në moshën 47-vjeçare

Publikuar

me

Ka vdekur në moshën 47-vjeçare, Besim Selmanaj, një nga aktivistët e AAK-së në qytetin e Gjakovës.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, përmes një postimi në Facebook ku i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit.

“Dje mora lajmin e dhembshur që në moshën 47 vjeçare vdiq Besim Jahë Selmanaj, një nga aktivistët më të devotshëm të AAK-së në Gjakovë”, ka shkruar Lekaj.

Ai thotë se i ndjeri ishte kryetar i nëndegës së AAK-së në Lipovec dhe ka dhënë kontribut të madh për partinë.

“Besimi dha kontribut të madh për Hasin, Lipovecin dhe gjithë Gjakovën gjatë periudhës (2009-2013) kur ai ishte kryetar i nëndegës së AAK-së në Lipovec.
Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Selmanaj dhe Berisha.
LAVDI !”, ka shkruar Lekaj.

Vazhdo ta lexosh

Aktuale

Copyright © 2016 - 2020 Publicisti.com