2018-ta fatale për bizneset kosovare

Nga janari e deri në muajin dhjetor të vitit 2018, në Kosovë kanë falimentuar 1 mijë e 619 biznese. Kurse në vitin e kaluar numri i bizneseve që janë shuar është 1142. Kjo tregon se numri i bizneseve që kanë falimentuar këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar.

Në një përgjigje të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë përmes një përgjigje për Indeksonline kanë bërë të ditur se këtë vit janë shuar 1 mijë e 619 biznese. Ndërsa, janë hapur 9 mijë e 777 biznese të reja.

 

 

Bizneset e shuara i takojnë asaj të industrisë përpunuese, bujqësisë, pylltarisë e tjerë sektorë.

Shih tabelën:

Ajo çka është me shqetësuese është numri i vogël i bizneseve të reja në prodhim dhe bujqësi. Sipas një raporti të Stabilitetit Financiar të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës për vitin 2017 del se numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ka rënie vjetore prej 11.5%, që figurojnë të regjistruara vetëm 9.223 biznese të reja. Sektorët që kanë shënuar më së shumti rënie në numrin e bizneseve të regjistruara janë prodhimi dhe tregtia me pakicë e shumicë, e pas tyre edhe bujqësia, transmeton Indeksonline.

Për ekonomistin Naim Gashi më shqetësues është fakti që ka rënë numri i bizneseve në sektorin e prodhimit dhe bujqësisë, sepse këta sektorë ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimtarinë vendore dhe uljen e varësisë nga importi.

“Zvogëlimi i numrit të bizneseve në sektorin e prodhimit dhe bujqësisë është shqetësues, për faktin se ato ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimtarinë vendore dhe uljen e varësisë nga importet. Sektori i prodhimit dhe bujqësisë është edhe bartës i krijimit të vendeve të reja të punës për të cilat ekonomia jonë ka shumë nevojë”, ka përfunduar Gashi.

Ekonomisti Mustafë Kadriaj për Indeksonline është shprehur se në mungesë të përkrahjes së Qeverisë për infrastrukturën ligjore dhe teknike, shumë biznese vendore këtë vit janë mbyllur, sidomos ato prodhuese të cilat janë promotor i zhvillimit ekonomik.

“Për fat jo të mirë agjenda e të bërit biznes në Kosovë nuk  ka qenë në rënd dite dhe prioritet për Qeverinë dhe si rezultat biznesi po ngulfatet çdo ditë në mungesë të përkrahjes së  Qeverisë në infrastrukturë ligjore dhe teknike ishte një konkurrence e pa përballueshme nga importet ka rezultuar me mbylljen e shumë bizneseve vendore ku më e rënda, bizneset prodhuese si promotor i zhvillimit ekonomike sepse prodhimi tregon fuqinë ekonomike te një shteti sepse duke ndikuar ne bruto produktin vendor, rritje te punësimit dhe ngritje të mirëqenies së qytetarëve ku si rezultat rritet fuqia blerëse e cila rezulton në mbushje ta arkas sa shtetit sepse çdo blerje ndikon në buxhetin e shtetit sepse bizneset paguajnë tatim për atë shitje”, ka thënë Kadriaj.

Kadriaj thotë se viti 2019 do të jetë vit i përkrahjes së bizneseve vendore.

“Mendoj që viti 2019 të jetë viti i përkrahjes së bizneseve vendore sepse si rezultat  i një ekonomie të fortë edhe në raport me agjendën e Bashkimit Europian dhe bisedimeve me Serbinë do te jemi me në favor sepse Kosova do të dëshmoj qe mund të mbajë vetveten në një nivel më të favorshme ekonomike”, ka thënë mes të tjerash ekonomisti Kadriaj.

Ai ka shtuar se këtë vit agjenda qeveritare ka qenë e orientuar në konsolidimin e shtetit, si votimi i demarkacionit, votimi i ligjeve të FSK-së, bisedimet me Serbinë e probleme tjera politike kanë lënë në hije çështjen e të bërit biznes./Indeksonline/